
"Ne do të caktojmë një ekip të nivelit të lartë për të ndihmuar negociatat dhe për të punuar në përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët e angazhuara", tha Sekretari Rubio.
Takimi në Riad mes delegacioneve të kryesuara nga Sekretari i Shtetit i Marco Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ishte i pari i zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në vite.
Sekretari Rubio tha se dy palët ranë dakord për katër parime. Parimi i i parë është rivendosja e misioneve diplomatike me funksione normale në dy vendet përkatëse.
“Së dyti, ne do të caktojmë një ekip të nivelit të lartë për të ndihmuar negociatat dhe për të punuar në përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët e angazhuara. Së treti, ne do të fillojmë të punojmë edhe në një nivel të lartë, për të disktuar dhe shqyrtuar bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik, që do të rezultonte nga përfundimi i konfliktit në Ukrainë. Dhe gjëja e fundit për të cilën ramë dakord është që ndërsa ekipet tona do të punojnë për të gjithë këtë, ne të pestit që ishim këtu sot do të mbetemi të angazhuar në këtë proces për t'u siguruar që po ecën përpara në një mënyrë produktive.”
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare Michael Waltz theksoi se fundi i luftës në Ukrainë duhet të jetë i përhershëm, jo i përkohshëm.
“Do të ketë disa diskutime për territorin dhe për garancitë e sigurisë. Këto janë vetëm bazat themelore të diskutimit. Por unë mendoj se pjesa më e rëndësishme është se Presidenti Trump ka shprehur dëshirën dhe vendosmërinë e tij për t'i dhënë fund kësaj lufte, për t'i dhënë fund vrasjeve që po ndodhin, vdekjes dhe shkatërrimit që po ndodh ndërsa kjo luftë vazhdon".
Nëse lufta në Ukrainë përfundon në një mënyrë të pranueshme për të gjitha palët, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të fillojnë të angazhohen në identifikimin e zonave me interes dhe mundësi të përbashkëta, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
“Çështje që shpresojmë se do të jetë në të mirë të botës dhe gjithashtu do të përmirësojë marrëdhëniet tona në aspektin afatgjatë. Megjithatë, çelësi që hap derën për ato mundësi është fundi i këtij konflikti.”
“Ka ende shumë punë. Sot ishte hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë. Por ky ishte një hap shumë i rëndësishëm”, tha Sekretari Rubio.