Accessibility links

Breaking News

Blinken: SHBA mbetet e angazhuar ndaj Aleancës së NATO-s


NATO ka mbrojtur sigurinë dhe lirinë e Evropës dhe të Amerikës së Veriut për gati 75 vjet.

NATO ka mbrojtur sigurinë dhe lirinë e Evropës dhe të Amerikës së Veriut për gati 75 vjet. Në një fjalim të fundit në selinë e NATO-s në Belgjikë, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se sfida kryesore është përshtatja dhe rinovimi i NATO-s në mënyrë që ajo të mund të trajtojë sfidat e sotme.

Sekretari Blinken identifikoi tre kategori të kërcënimeve më të mëdha me të cilat përballet aleanca sot. E para janë rreziqet e paraqitura nga ushtritë e vendeve të tjera, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Kategoria e dytë është kërcënimi jo-ushtarak nga shumë prej këtyre vendeve të njëjta, taktikat teknologjike, ekonomike dhe informative që kërcënojnë sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s.

Kategoria e tretë e kërcënimit janë krizat globale si COVID-19 dhe ndryshimet klimatike. Terrorizmi global mbetet gjithashtu një rrezik.

Për t'u ballafaquar dhe trajtuar në mënyrë efektive këto kërcënime, "ne duhet të riangazhohemi me aleancat tona", tha Sekretari Blinken.

“Aleancat tona u krijuan për të mbrojtur vlerat e përbashkëta. Pra, ripërtëritja e angazhimit tonë kërkon rikonfirmimin e atyre vlerave dhe themelin e marrëdhënieve ndërkombëtare që ne zotohemi të mbrojmë: një rend të lirë dhe të hapur të bazuar në rregulla", tha ai.

Për të mbetur efektive, NATO duhet të vazhdojë të modernizohet. "Kjo fillon me përmirësimin e aftësive dhe gatishmërisë sonë ushtarake për të mbajtur statusin e një parandaluesi të fortë ushtarak të kërcënimeve", tha Sekretari Blinken. "Ne gjithashtu duhet të zgjerojmë kapacitetin tonë për të trajtuar kërcënimet në fushat ekonomike, teknologjike dhe informative", tha ai.

Sekretari Blinken u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s që të formojnë koalicione më të gjera të aleatëve dhe partnerëve. Kjo, shpjegoi ai, është ideja e organizatës Quad, e cila përbëhet nga Australia, India, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne ndajmë një vizion të një rajoni të lirë, të hapur, gjithëpërfshirës dhe të shëndetshëm Indo-Paqësor, të pandikuar nga shtrëngimet me forcë, dhe të ankoruar në vlerat demokratike. Ne jemi një ekip i mirë. Dhe bashkëpunimi ynë do të forcojë përpjekjet paralele për të garantuar sigurinë në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore dhe për të zgjeruar prodhimin e sigurt, me kosto të përballueshme dhe efektiv të vaksinave dhe një qasje të barabartë ndaj tyre", tha ai.

Rruga përpara për NATO-n, tha sekretari Blinken, "është e rrënjosur në vlerat tona të përbashkëta dhe angazhimin jo vetëm për rindërtimin e aleancave dhe partneriteteve tona, por edhe për t'i ndërtuar ato më mirë. Nëse e bëjmë këtë, nuk ka sfida që nuk mund t’i kapërcejmë dhe që nuk do t’i kapërcejmë”.

XS
SM
MD
LG